Monumentet e Kulturës
janë së pari artefakte historike

Thënë kjo, ato duhet të dëshmojnë jo vetëm vlerat e tyre estetike por mbi të gjitha historinë dhe periudhën e tyre si një pjesë e pandarë e autenticitetit. Jo të gjitha objektet janë të mirëpritura nga shoqëria në momente të caktuara historike. Një pjesë përbëjnë atë që quhet “Trashëgimi e Padëshiruar” ku publiku ka një qëndrim mohues dhe përlargues nga vlerat që mendon se e identifikojnë. E qartë është tashmë se shoqëritë maturohen kur gjejnë forcë dhe mënyra të përballen me këtë trashëgimi; t’a ruajnë këtë trashëgimi është sfida më e madhe. Vitet e fundi një varg objektesh si Piramida, Shtëpia e Diktatorit, Teatri Kombëtar për arsye politike dhe ekonomike janë përbaltur me epitete denigruese me qëllim eliminimin e tyre fizik dhe mandej manipulimin duke krijuar kushtet për një “tabula rasa” historike. Ky nuk është fenomen i sotëm, shumë ndërtime të tjera edhe më herët e kanë pësuar nga kjo përqasje manipuluese - të mos harrojmë të famshmin “Revolucion Kulturor” të 1968 i cili fshiu nga faqja e dheut me qindra objekte kulti. Më vjen mirë që Tiranës i shenjohen me art disa objekte lehtësisht të targetueshme nga shoqëria e publiku, prej tendencës për t’i veshur objektit ideologjinë e atij që jetoi apo e atij që e porositi. Vëmendjen ndaj Vilës së ish diktatorit e gjej dhe si shtysë për të mos u orvatur pas çdo objekti historik vetëm kur i vihet ne pikëpyetje ekzistenca. E shikoj si nje dalje nga pozita e mbrojtjes. Nëse nuk i mbrojmë monumentet historike dhe arkitektonike me art e me prezencë, atëhere me çfarë tjetër më mirë do e bënim? / Kreshnik Merxhani, arkitekt